




Kontur 2023 – Edicioni i Parë i Konferencës së Turizmit dhe Mikpritjes në Prizren
Më 18 nëntor 2023, Prizreni ishte nikoqir i edicioni të parë të Konferencës së Turizmit – Kontur, një ngjarje e veçantë që solli së bashku ekspertë, profesionistë dhe aktorë të ndryshëm të industrisë së turizmit për të shkëmbyer ide, përvoja dhe për të ndërtuar ura të reja bashkëpunimi.
Konferenca adresoi një gamë të gjerë temash që lidhen me zhvillimin e turizmit, duke ofruar një platformë gjithëpërfshirëse për të diskutuar sfidat dhe mundësitë që kjo industri përballet në nivel lokal dhe ndërkombëtar. Pjesëmarrësit patën mundësinë të ndajnë njohuritë dhe të eksplorojnë mënyra kreative për të përmirësuar përvojën turistike në Kosovë.
Qëllimi i këtij edicioni ishte të kontribuonte në:
Promovimin e destinacioneve turistike në Prizren dhe në gjithë Kosovën, duke rritur ndërgjegjësimin dhe interesin për vizita.
Zhvillimin ekonomik përmes rritjes së të ardhurave dhe krijimit të vendeve të reja të punës në industrinë e turizmit.
Përmirësimin e infrastrukturës dhe shërbimeve për të ofruar një përvojë sa më të këndshme dhe të sigurt për vizitorët.
Si edicioni i parë i këtij formati, Kontur 2023 shënoi një hap të rëndësishëm drejt zhvillimit të qëndrueshëm të turizmit dhe mikpritjes, duke krijuar një traditë të re që do të vazhdojë të rritet dhe të inspirojë.
Paneli 1
Paneli i parë i KonTur 2023 solli në qendër të vëmendjes përfaqësues të institucioneve shtetërore që luajnë rol kyç në menaxhimin dhe zhvillimin e trashëgimisë dhe turizmit. Në këtë diskutim morën pjesë Kryetari i Komunës së Prizrenit, Shaqir Totaj, drejtori i Qendrës Rajonale për Trashëgimi Kulturore – Prizren, Samir Hoxha, drejtoresha e Drejtorisë së Turizmit dhe Zhvillimit Ekonomik, Lirije Bytyqi, si dhe Irfan Lipovica nga Ministria e Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë.
Ata diskutuan për qasjet institucionale ndaj turizmit kulturor, sfidat dhe potencialet rajonale, si dhe nevojën për bashkëpunim ndërinstitucional në funksion të zhvillimit të qëndrueshëm dhe promovimit të përbashkët të trashëgimisë.



Paneli 2
Paneli i dytë i KonTur 2023 u fokusua në ndikimin e festivaleve, konferencave dhe ngjarjeve ndërkombëtare në zhvillimin kulturor dhe ekonomik të Prizrenit. Në këtë diskutim morën pjesë Alba Çakalli nga DokuFest, Vatra Abrashi nga Autostrada Biennale dhe Besfort Guri nga FLOSSK, të cilët ndanë përvojat e tyre mbi mënyrën se si këto ngjarje kanë formësuar identitetin bashkëkohor të qytetit. Panelistët theksuan rolin transformues që këto festivale luajnë jo vetëm në ndërtimin e imazhit ndërkombëtar të Prizrenit, por edhe në krijimin e hapësirave për edukim, pjesëmarrje qytetare dhe zhvillim kreativ lokal. Diskutimi vuri në pah potencialin e bashkëpunimit mes sektorit kulturor dhe turizmit për të nxitur një zhvillim të qëndrueshëm dhe gjithëpërfshirës.



Panlei 3
Paneli i tretë i KonTur 2023 u përqendrua në lidhjen ndërmjet arsimit profesional dhe zhvillimit të industrisë së mikpritjes në Prizren. Në diskutim morën pjesë Edona Turtulla Rada, drejtoreshë e Qendrës së Kompetencës në Prizren, dhe Ilir Shala nga Shoqata e Gastronomëve të Prizrenit. Ata diskutuan mbi nevojën për përgatitje cilësore të të rinjve në fushat e gastronomisë dhe turizmit, duke theksuar rëndësinë e bashkëpunimit ndërmjet institucioneve arsimore dhe sektorit privat. Paneli solli në vëmendje shembuj konkretë të bashkëpunimeve të suksesshme dhe theksoi se fuqizimi i kuadrove lokale është çelësi për ndërtimin e një industrie të qëndrueshme të mikpritjes në qytet.


Folësit mysafirë
Në kuadër të KonTur 2023, ngjarja u pasurua me pjesëmarrjen e një grupi të veçantë mysafirësh folës nga fusha të ndryshme që lidhen drejtpërdrejt me turizmin dhe trashëgiminë. Arkeologu Vesel Hoxha ndau njohuritë e tij mbi shtresëzimet kulturore të rajonit, ndërsa antropologia Arbnora Kolgjeraj Rexha solli perspektiva mbi lidhjen ndërmjet identitetit lokal dhe përvojës turistike. Bekim Bytyqi prezantoi potencialin e zhvillimit të turizmit malor në zonat përreth Prizrenit, kurse Brikena Gashi ndau përvojën e saj si ndërmarrëse që promovon produkte vendore me vlerë turistike. Filigranisti Durim Haxhifazliu ilustroi me shembuj të gjallë rolin e zanateve tradicionale në ndërtimin e ofertës kulturore të qytetit. Këto rrëfime autentike kontribuuan në pasurimin e diskutimit dhe thelluan kuptimin për dimensionin praktik të turizmit kulturor dhe të qëndrueshëm.
